Pandemia e koronavirusit dhe lufta ndaj saj ka frenuar qytetarët që t’i drejtohen spitaleve për t’u kuruar për sëmundjet e tjera.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020 janë kryer më shumë se 7 milionë vizita me një rënie prej 3.9% krahasuar me një vit më parë.
Kjo gjë është reflektuar edhe në numrin e të shtruarve në institucionet shëndetësore, ku raportohet se gjatë vitit të pandemisë ka një tkurrje prej 81 mijë e 513 personash duke regjistruar kështu numri më të ulët që nga viti 2016.
Sipas të dhënave zyrtare, fusha më e prekur rezulton ajo e ndërhyrjeve kirurgjikale që pësoi një rënie prej 27% krahasuar me vitin 2019.
Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve Covid-19, spitalet publike që në fillim të pandemisë nisën të shtynin operacionet e planifikuara apo rastet jo urgjente që mund të prisnin.
Pas një valë të parë nga qershori deri në nëntor, kur fatalitetet u rritën, spitalet shtetërore patën një rënie të fluksit të të shtruarve dhe salla kirurgjie që kryenin ndërhyrje vetëm për rastet urgjente.
Por frika nga koronavirusi duket se ka penguar edhe prindërit për të dërguar në konsulta të vegjëlit e tyre.
Gjatë vitit që lamë pas janë kryer 708 mijë e 211 vizita duke shënuar ulje me 9.5%.
Të dhënat tregojnë se rritje ka shënuar numri i konsultave për gratë me 3%, të cilat kanë shkuar kryesisht për vizitat obsetrikale.
INSTAT nënvizon se përgjatë 5 viteve të fundit, vihet re se mbi 40% e vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulanca janë kryer nga personat mbi 60-vjeç.