Ky është i njëjti ashensor si ai që një natë më parë rrezikoi jetën e 5 personave.
Dhe në këtë ashensor nuk është shënuar as pesha dhe as numri i personave që duhet të qëndrojnë në të.
Në momentin e incidentit, në ashensor kanë qenë 5 persona, tre djem dhe dy vajza, një prej të cilave shtatzënë.
“Më datë 12.09.2021, rreth orës 00:05, në Astir, dyshohet se në një pallat është shkëputur ashensori. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. Q, e cila pas marrjes së mjekimit, u largua për në banesë, dhe një shtetase tjetër, ende e paidentifikuar e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve” njofton policia.
Banorët thonë se kanë dëgjuar një zhurmë të fuqishme në orën 00:05 të mbrëmjes dhe menjëhere kanë dalë për ti dhënë ndihmën e parë.
Mësohet se ashensori është shkëputur me një kat por për fat është bllokuar në katin tjetër, duke mos rrëshqitur deri në fund.
Kjo ka mundësuar që personat e bllokuar të dilnin me vështirësi nga ashensori për t’iu dhënë ndihma e parë.
Dyshimet e para janë se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë mbipesha pasi sipas banorëve në ashensor mund të ketë patur më shumë se 5 persona, dy kanë qenë banore të pallatit dhe të tjerët mysafirë që u kishin ardhur dhe ishin në zbritje nga kati i katërt.