Ish-kryeministri Sali Berisha, i është përgjigjur në mënyrë indirekte komenteve të ambasadores amerikane Yuri Kim.
Teksa ishte mbledhur Kuvendi, Berisha në turin e tij me demokratët, deklaroi se kjo lëvizje do e çlirojë Shqipërinë nga fantazmat.
Ai thotë se është i pathyeshëm ndaj shpifjes dhe mashtrimeve
Sali Berisha: Dy fjalë për të ardhmen.Viktor Hygo ka shkruar diku se e ardhmja ka emra të ndryshëm. Ai thotë se e ardhmja, për të dobëtit quhet e pamundur. E ardhmja për sentimentalët, quhet e panjohur. E ardhmja për guximtarët quhet idealja. Ndaj dhe ne zotohemi këtu që në përpjekjen tonë, do të çlirojmë Shqipërinë nga fantazma e komunizmit, e bllokmenëve, nga fantazma e mafias, e krimit dhe e korrupsionit që po gërryen çdo ditë këtë vend. Por edhe nga fantazma e Sorosit, i cili është një armik i qendrës së djathtë dhe i të djathtës shqiptare. I parimeve që ato mbrojnë.
Së fundi, ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe miqtë e mi kudo në botë, edhe ata që flasin për fantazma, se kur të dalë një fakt i vetëm, Sali Berisha është i gatshëm që të marrë një vendim.
Përndryshe aq sa jam i përulur para të vërtetës, aq jam i pathyeshëm ndaj shpifjes dhe mashtrimeve,”- shpreh Berisha.
Duke njoftuar për një intervistë ditën e sotme për ”Zërin e Amerikës”, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, shpërndau në rrjetet sociale një tjetër mesazh për të drejtuar shoqërisë shqiptare.”
Tridhjetë vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste, 30 vjet tranzicion. Po vjen koha për të zgjedhur sërish: Ndryshim apo stanjacion? Të luftosh për gjeneratën e re apo të mbrosh fantazmat? E ardhmja apo e kaluara? Le të shohim drejt së ardhmes. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do ta bëjnë së bashku”, ishin fjalët e ambasadores Kim.