Daja i qetë për Partizanin: “Fillimi nuk tregon nivelin, ndaj Skënderbeut sfidë delikate”

0

Partizani dështoi në ndeshjen e parë teksa u mund nga Teuta 1-0, një start që nuk u ka pëlqyer tifozëve e që gjithsesi për trajnerin Ilir Daja është vetëm fillimi. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Skënderbeun në Korçë, trajneri i të kuqve tha se është një sfidë që duhet fituar nga skuadra e tij.

“Është ndeshje delikate, duhet patjetër të shkojmë drejt fitores, sepse besoj që i kemi kualitetet e duhura për të bërë këtë gjë.

Ajo që më pëlqeu në ndeshjen e parë ishte motivimi që kishin lojtarë dhe të dëshira për të fituar, përtej gjërave të tjera që duhen përmirësuar.

Skënderbeu është një ekip simpatik, që vjet në pjesën e dytë të kampionatit kanë bërë mirë. Duhet të jemi të motivuar maksimalisht nëse duam të arrijmë marrjen e 3 pikëve.

Në këto javë të para rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka.

Mendoj që kemi një ndeshje delikate në Korçë, sepse, pavarësisht se Skënderbeu ka humbur si ne, gjatë pjesës së parë ka bërë goxha mirë kundër Tiranës. Shkojmë në Korçë duke respektuar maksimalisht kundërshtari”.

Lidhur me formacionin që do të zbresë në fushë, Daja tha se ka ende dyshime dhe do të vendosë pas séances së fundit teksa u shpreh me bindje se Partizani është ekip me lojtarë cilësorë.

“Partizani është një ekip me lojtarë cilësorë, dy nga të cilët janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të themi kush do ta nisë titullar, pasi kemi dhe një seancë stërvitore. Do të luajnë ata që kanë gjendjen më të mirë. Ndoshta ndonjë mundet të sakrifikohet për shkak të pozicionit, jo për shkak të vlerave”.

Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve komentoi edhe çështjen e stadiumit të ri dhe problemeve në sulm që ka shfaqur ekipi.

“Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjet në fushën e kompleksit të ri. Për këtë kemi marrë dhe fjalën e presidentit.

Ndërsa për ta bërë komplet stadiumit të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj se në muajin nëntor. Kishim probleme me finalizimin, por problemi që na shqetësoi më shumë, edhe për meritë të kundërshtarit, shpejtësia në në 1/3-ën e sulmit, që nuk ishte e duhura.

Duhet të kishim shumë më tepër raste para portës që këto situata të finalizoheshin në një përqindje më të mirë”, përfundoi trajneri Ilir Daja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu