Afrim Qëndro ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës. Qëndro tha se ky post i ishte besuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale dhe punëve që duheshin përmbyllur në qytet dhe se tashmë ai i kishte bërë këto detyra.
Pas dorëheqjes së tij, Qëndro u shpreh se do të ishte në strukturat e PS në Tiranë. Ndërsa pasi u pyet për ‘gropat’ që kryeministri Rama i pati thënë të mbyllte, ai tha se nuk e kishte aspak për turp dhe se ishin bërë të gjitha detyrat e nevojshme duke mbyllur edhe gropa të tjera veçmas atyre të asfaltit.
“Natyrisht në një moment të caktuar më ka kërkuar në korrikun e vitit të kaluar në asamblenë e PS të Vlorës, më ka kërkuar që të kryeja edhe detyrën e nënkryetarit në bashkinë e Vlorës.
Mendoj se i kam mbyllur detyrat e mia këtu, fushata elektorale ka mbaruar prandaj do largohem në Tiranë, pranë familjes time në një detyrë në Tiranë.
A i mbushët gropat që Rama ju ka thënë?
Në funskionimin e punëve në Vlorë, ka pasur disa gropa dhe nuk e kam fjalën vetëm për gropat e asfaltit. Unë nuk e kam problem edhe nëse do të vazhdoja vetë ti mbushja gropat nuk e kam për turp. Ka pasur gropa edhe sa i përket ndriçimit edhe përmbytjeve”– u shpreh Qëndro.