Ja kush është oficeri që u përjashtua nga SHÇBA pas të dhënave nga Gjermania/ I shpallur në kërkim për drogë

0

Oficeri i mbikëqyrjes pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Sulejman Margjeka është përjashtuar nga kjo strukturë dhe po ndiqet penalisht. Burime zyrtare nga  SHÇBA, konfirmojnë se janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës materialet hetimore në  bazë të dispozitave ligjore të ligjit mbi dekriminalizimin.

Në vitin 2016 Margjeka në plotësimin e deklaratës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, nuk ka deklaruar të dhëna të sakta, duke i mohuar ato. Ndërkohë, sa i përket rekordit kriminal në fushën e trafikut të drogës në Gjermani, çështja po ndiqet nga autoritetet policore dhe të drejtësisë.

Një lajm i tillë u konfirmua nga Prokuroria e Tiranës, se në ngarkim të Margjekës ka ndodhur mbërritja e materialeve hetimore në lidhje me veprimtarinë e oficerit të SHÇBA-së, përfshirë kohën kur ka shërbyer në këtë strukturë, por edhe në shtetin gjerman. Puna që po bëhet nga organi i akuzës mbetet deri më tani hermetike sa iu përket detajeve të kësaj dosje që po përgatitet.

Deri më tani ende nuk ka një njoftim zyrtar e publik për oficerin Margjeka, i cili në shtetin gjerman dispononte gjeneralitete të tjera.Momentalisht disponohet  vetëm mbiemrin, Idrizaj. Ky i fundit hetonte policët që shkelin ligjin, por vetë ishte nën hetim nga autoritetet gjermane për trafik drogë.

Ai u përjashtua nga shërbimi pas informacioneve të mbërritura nga policia gjermane e cila konfirmoi që e kishte nën hetim madje kishte lëshuar edhe një urdhër-ndalimi. Në lidhje me masën në të cilën ndodhet tani oficeri, përveç ndjekjes penale dhe përjashtimit nga funksioni i mbikëqyrësit në SHÇBA, nuk ka të dhëna mbi vendndodhjen e tij.

Ky është precedenti i dytë brenda SHÇBA në harkun kohor të pak ditëve pasi një tjetër i rëndë u mbajt larg vëmendjes së medias për mbi një javë. Ai kishte të bënte me një sulm kibernetik në serverin qëndror të institucionit.  Për këtë rast, SHÇBA u detyrua të njoftonte publikisht pas insistimit të mediave ku thotë se sulmi është parandaluar.  Këto janë dy raste  mjaft të rënda që vendosin në rrezik daljen e informacioneve sensitive për policinë me efektivë që duhet të luftojnë krimin e ligjshkelësit, për kthehen vetë në të tillë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu