I vetëm, ashtu siç kaloi dhe një pjesë të konsiderueshme të 21-viteve të tij, Aldi Rama është lënë dhe në vdekje. Askush nga familja e tij nuk ka shkuar në morg që të tërheq trupin e të riut, ndërkohë që burime bëjnë me dije se ai është dërguar pranë të ëmës në Durrës nga një agjensi funerale, e cila nuk ka marrë para për shërbimin.
Në shkelje me rregullat dhe procedurat që ndiqen në raste të tilla, arkivoli i të riut nuk është shoqëruar me skedën e vdekjes, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme ekspertë të mjekësisë ligjore kryen dhe autopsinë e tij.
Një plumb në kokë i mori jetën të riut, zyrtarisht i vetëqëlluar, ndërkohë që nuk kanë munguar as dyshimet se ai mund të jetë qëlluar nga vetë RENEA. Ky pretendim është rrëzuar zyrtarisht nga Policia.
Sa i takon familjes, Aldi Rama ishte rritur nga gjyshërit, pas divorcit të prindërve, ndërsa nëna e tij jetonte në Durrës, bashkë me vëllanë e tij të madh, me të cilin duket se nuk kishte komunikim të vazhdueshëm.
Pas ndarjes së prindërve ai ishte mbështetur fillimisht nga xhaxhai i tij, ndërkohë që i ati ka qëndruar për disa vite në burg në Greqi, për shkak të dhunës fizike ndaj të ëmës, të cilën dyshohet se e ka gjymtuar.
Një fund tragjik i të riut, që i mori jetën me një plumb në zemër nënkomisarit Hoxha, ndërkohë që në fund të një arratie që zgjati për afro 6 orë vdiq edhe vetë.
Trupi i të riut pritet që të prehet në varrezat e Durrësit, ku jeton e ëma, ndërkohë që gjatë një interviste babai i tij tha dje se djali ishte viktimë i rrethanave në të cilat ishte rritur, por edhe braktisjes së shtetit.