Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Pogradecit, pasi fillimisht nuk iu bind urdhërit të tyre për të ndaluar. Pas ndjekjes atij i janë zbuluar 3 emigrantë të paligjshëm në mjet, si dhe është konstatuar fakti se udhëtonte pa leje drejtimi.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 17 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u konstatua nga shërbinet e policisë rrugore, në qytetin e Pogradecit, me mjetin tip “Benz”, të cilët i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por A. P., nuk iu bind urdhrit të tyre dhe u largua me shpejtësi. Pas ndjekjes nga forcat e policisë, 17-vjeçari u kap dhe ndalua në qytetin e Prrenjasit, ku në brendësi të mjetit iu gjetën 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit, drejtonte mjetin pa leje drejtimi.