Reshjet e shiut të rëna gjatë natës por edhe në orët e para të ditës së sotme në zonën verilindore të vendit kanë shkaktuar rrëshqitje të dherave në rrugë. Akset problematike në Kukës paraqiten ato që lidhin zonat rurale me qytetin e Kukësit.
Rruga nacionale Kukës-Shishtavec sot ishte nën prezencën e rrezikut të rënieve të gurëve dhe vërshimit të ujërave. Segmenti më problematik në këtë aks paraqitet nga “Ura e Koloshit”-Shishtavec. Në shumë pjesë të këtij segmenti ka prani të vazhdueshme të gurëve dhe dherave, çka vështirëson lëvizjen e rreth 15 mijë banorëve të Njësive Asministrative Zapod, Topojan e Shishtavec.
Ky segment, deri më tani është mirëmbajtur nga Bashkia Kukës, por në mungesë të kapaciteteve, kjo punë është e pa mundur të mirëmbahet. Autoriteti Rrugorë Shqiptarë vijon të ketë në mirëmbajtje vetëm segmentin e parë të rrugës, nga Kukësi deri tek “Ura e Koloshit”, ku firma mirëmbajtese vijon punën në largimin e dherave dhe gurëve. E gjithë rruga ka një gjatësi prej afro 35 km, rrugë e cila bënë të mundur lidhjen edhe me pikën doganore të Shishtavecit me Dragashin e Kosovës.