Artistët e Cirkut disa ditë më parë dorëzuan pranë KLSH-së, dosjen të cilën ata e quajtën si “dosjen e rrëmbimit të tokës”.
Së fundmi përmes një njoftimi zyrtar KLSH njofton se kryetari Arben Shehu, ka urdhëruar në mënyrë të menjëhershme nisjen e auditimeve për të gjithë procesin e parashtruar në kërkesën e ardhur nga artistët e Cirkut Kombëtar.
Ata kërkuan një hetim të thelluar nga KLSH për të zbuluar autorët përgjegjës të zhdukjes nga duart e shtetit të një prone 1073 metra katrorë që siç thonë ata ka vlerën e 5 milion eurove.
Përmes kësaj shkrese artistët kërkuan një hetim më të gjerë mbi veprimet apo mosveprimet e kryera nga Cirku Kombëtar dhe Ministria e Kulturës.
Në të referohen shkelje nga ana e punonjësve të institucioneve të sipërcituara në kundërshtim me procedurën administrative të caktuar për mbrojtjen e interesave të tyre ligjore në kuadër të një procesi gjyqësor.