Kano, në Nigerinë veriore, është një nga dhjetë shtetet myslimane në vend ku Sheriati, ligji islamik, zbatohet paralelisht me ligjin nigerian.
“Ne e arrestuam atë sepse ai e nxori veten në shitje, kjo është e paligjshme sipas ligjit islamik,” tha Laval Ibrahim Fage, një zëdhënës i policisë fetare të Hezbollahut.
I riu ndodhet në paraburgim, shtoi ai, duke shpjeguar se këtë “veprim të papranueshëm” e ka bërë për shkak të varfërisë dhe injorancës së tij, përcjell abcnews.al.
Javën e kaluar, Idrisi po qarkullonte në qytet me pankartën dhe “çmimin” e varur në qafë. Banorët i kanë bërë foto të cilat kanë bërë bujë në internet.
Ai u tha gazetarëve se donte të shitej për t’i shpëtuar “varfërisë së padurueshme” dhe se gjysmën e parave do t’ua jepte prindërve dhe dy milionë naira atij që do të organizonte ankandin. Ai gjithashtu premtoi se do të bëhej “shërbëtori besnik” i atyre që e blenë.
Nigeria, prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë, është goditur rëndë nga pandemia dhe masat kufizuese. E përballur me një recesion për herë të dytë në pesë vjet, ekonomia e saj ka filluar të rimëkëmbet vetëm muajt e fundit. Por inflacioni, veçanërisht në ushqim, mbetet shumë i lartë , duke përkeqësuar varfërinë e shumë banorëve, shumica e të cilëve janë të detyruar të jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.