Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë projekt Buxhetin për vitin 2022. Ndër të tjera Ibrahimaj tha se sipas parashikimeve do të ketë rritje ekonomike 4.1 në vitin 2022. Sipas saj, fiskalizimi do të japë rezultate në këtë aspekt.
“Fiskalizimi pritet të rrisë të ardhurat. Kemi parashikuar rritje natyrale të të ardhurave si pasojë e rritjes ekonomike. Janë të parashikuara edhe efektet e paketës fiskale. Politikat e investimeve publike, ne presim që të vijojnë investimet që kanë filluar gjatë viteve të kaluara, sa i takon rrugëve dhe ujësjellësave. Këtë vit rritja ka ardhur si pasojë e rritjes në të gjithë sektorët, përveç bujqësisë. Kemi pasur rritje të konsumit, por edhe të investimeve. Parashikimet për vitin 2022 deri në 2025 janë të bazuara në strukturën e ekonomisë shqiptare. Këto parashikime janë në linjë me FMN dhe BSH,” u shpreh ajo.