Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë pagat e drejtuesve dhe punonjësve të sektorit të luftës kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë. Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, u vendos që t’u shtohet paga me 75 mijë lekë në muaj drejtorit të drejtorisë dhe specialistëve në sektorin e verifikimit të rasteve korruptive në terren.
Rritje pagë përfitojnë dhe Rrjeti i Koordinatorëve Kundër Korrupsionit (shtesë 60 mijë lekë në muaj) dhe drejtorinë e projekteve dhe programeve kundër korrupsionit (shtesë 40 mijë lekë në muaj).
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.618, DATË 20.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E RRJETIT TË KOORDINATORËVE KUNDËR KORRUPSIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun IV, të vendimit nr.618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 15, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:
“16. Përveç pagës mujore, nëpunësit në strukturën përgjegjëse kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:
a) 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon Rrjetin e Koordinatorëve Kundër Korrupsionit;
b) 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon njësinë operacionale të verifikimit në terren;
c) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “Drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon projektet e programet në fushën kundër korrupsionit.”.
2. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA