Ministrja Ogerta Manastirliu bën me dije se ekspertët e shëndetësisë po shohin të gjitha mundësitë për masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Ajo thotë në varësi të situatës së koronavirusit në vijim, një prej skenarëve është dhe detyrimi i pasaportës së vaksinimit për disa shërbime si hyrja në lokale apo restorante.
E ftuar në emisionin Real Story, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se e ardhmja e pandemisë është e paqartë pasi situata është dinamike dhe se mund të dalin dhe variante të reja të koronavirusit.
“Për të qenë precize. Dua tjua shpjegoj që ne jemi duke vlerësuar në dinamikë pandeminë dhe numrat e infektimeve. Do shohim si do përballemi në ditët dhe javët në vazhdim. Të gjitha opsionet janë në tavolinë, një prej tyre është dhe vendosja e pasaportës së vaksinimit në aksesimin e disa shërbimeve. Këtë detyrim e vendosëm për universitetet tek studentët. Kemi pasur një rritje të interesit të vaksinimit por jemi larg objektivit që ne synojmë. Për të arritur që të gjithë qytetarët të vaksinohen, duhet të jemi tek popullata target, na duhet të bëjmë një sforco. Na duhet të vaksinojmë dhe 1.7 mln qytetarë. Ne kemi bërë mbi 1.9 mln doza. Me 2 doza 890 mijë qytetarë. Tani kemi rrezik pandeminë e të pavaksinuarve për dozën e tretë. Mund të ketë dhe variante të reja që dalin. ” – tha Manastirliu.
Gjatë muajit tetor, sipas të dhënave është ulur numri i vaksinimeve kundër koronavirusit në krahasim me muajt e mëparshëm.
Për këtë fakt, Ministrja e Shëndetësisë thotë se kanë ndikuar disa faktorë. Një prej tyre është dhe ndikimi i personave që shpërndajnë informacione të rreme dhe që “helmojnë trurin e njerëzve”.
Ogerta Manastirliu tha se një pjesë e vendeve Evropiane janë duke u përballur me një valë të re të COVID-19, ndërkohë që situata paraqitet më e qetë në Shqipëri.
“Franca ka vendosur maskat nëpër shkolla dhe shtyrjen e oblikimit për paraqitjen e kartave të vaksinimit në restorante dhe kafe. Nuk kemi rrëshqitur nga rruga e zotit. Shqipëria është në një situatë të qëndryeshme përsa i përket vendeve të rajonit. Kurba epidemike apo situate ndryshon në kohë të ndryshme. Kosova rritjen e ka pasur disa javë më parë. Ashtu sikurse ishim ne. Ka lidhje me situatën epidemiologjike, atëherë kur dhe ne kishim shumë pak raste të reja dhe viktima, Kosova ka pasur rritje shumë të lartë. Ka një lloj frekuence, kemi një rritje të qëndrueshme. Jemi në një situatë ku kemi qarkullim të variantit Delta të koronavirusit. Rritja e rasteve ndodh se ka grupe në popullatë që duke mos qenë të vaksinuar, variant Delta shkakton më shumë raste” – tha Manastirliu