Detaje të reja kanë dalë në dritë mëngjesin e sotëm sa i takon aksionit të zhvilluar nga FNSH për kapjen e autorëve të grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu.
Mësohet se aksioni i FNSH po zhvillohet në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ku deri tani janë shoqeruar dy persona, ndërsa Prokuroria e Krujës ka lëshuar 7 urdhërarreste.
Rikujtojmë se pak javë më parë, shtëpia e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë-Krujës u ‘pushtua’ nga disa persona të armatosur dhe të maskuar.
Ata lidhën në njërën dhomë familjarët e biznesmenit dhe më pas e torturuan në dhomën tjetër Nazmi Çangun për disa orë.
Në fund grabitësit u larguan me 100 mijë euro, sipas dëshmisë së Çangut, por është aluaduar se ata kanë marrë të paktën 10-fishin e shumës që pretendon biznesmeni.
Autorët kanë qenë të mirëinformuar gjë të cilën e kanë treguar dhe bisedat që ka bërë me familjarët, të cilët nuk janë rrezikuar njëjtë si Çangu, i cili njihet për aktivitetin e tij për dhënie të parave me fajde.
Një nga autorët, sipas dëshmisë së vajzës, ishte i pamaskuar dhe nga e folura dukej si nga zona e Laçit. Policia pak ditë më parë zhvilloi një operacion për kapjen e tij por pa sukses.