“Misionaret e Bamirësisë”, nga motrat e Nënë Terezës në Elbasan është një ndër rezidencat jopublike në Shqipëri. Ata kanë 30 vite që operojnë në vendin tonë dhe kanë disa rezidenca në të gjithë Shqipërinë. Një ndër rezidencat e tyre është ajo në Elbasan, ata në mënyrë vullnetare trajtojnë fëmijë nga 0 deri në 6 vjeç.
Emisioni “Shqipëria Live” ka zbuluar një skandal, ku më 28 tetor të këtij viti një fëmijë 4-muajsh ka humbur jetën në rezidencë. Motrat e kishin marrë që në ditët e para të lindjes, pasi ishte braktisur nga nëna e saj që i ka trashëguar HIV/AIDS. Fëmija nuk ia doli të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Jashtë kamerave të “Shqipëria Live” një motër e rezidencës ka konfirmuar vdekjen e foshnjës 4-muajshe me AIDS.
“Ne nuk mundëm ta shërojmë. Pavarësisht se ishte me AIDS ajo ishte shumë e bukur. Foshnja vdiq papritur. Jo shumë kohë nga tani. Ajo vdiq më 29 nëntor të muajit të kaluar. Ishte shumë e vështirë ta pranonim humbjen e saj”, tha motra e rezidencës.
E pyetur nëse foshnja shkoi me HIV/AIDS, ajo tha që kishte lindur ashtu dhe se nëna që e kishte braktisur ishte gjithashtu me SIDA.
“Zemra dhe mushkëritë nuk u zhvilluan si duhet dhe nuk mund t’i përgjigjeshim sëmundjes. I blemë dhe i aplikuam ilaçe për HIV-AIDS dhe menduam se do të ishte në rregull, por papritur nuk mori më frymë. Ne menduam se ajo po rritej dhe po zhvillohej normalisht. Ishte një shok i madh”, tha më pas motra.
Ndërsa kur u pyet nëse ishte e vështirë për fëmijët e tjerë, ajo tha se “ata nuk e kuptonin shumë” dhe se nuk kishte rrezik për ta pas “foshnja nuk kishte plagë”.
“Ishte e vështirë për të përballuar vdekjen”, përfundoi motra e rezidencës “Misionaret e Bamirësisë”.
Ndërkohë momentalisht në këtë rezidencë janë 13 fëmijë. Dy prej të cilëve janë pa probleme, por të braktisur. Pjesa tjetër e fëmijëve ka probleme të theksuara fizike dhe mendore. Ka prej atyre me sindromën Down, ka me aftësi ndryshe, ka me epilepsi, ka dhe prej atyre me dëmtime të rënda fizike, siç është mungesa e gjymtyrëve.
Të gjithë fëmijët rrinë së bashku dhe kujdesen për to motrat dhe dy kujdestare, një që është turn i paradites dhe ka raste që rri e vetme me fëmijët dhe natën një kujdestare tjetër.
Kushtet janë të mira përveç faktit që motrat qëndrojnë shumë të veçuara nga bota e sotme. Ata nuk kanë lavatriçe, nuk kanë telefona, kondicionera, apo kompjuterë. Pavarësisht përkushtimit dhe misionit të tyre, fëmijët me probleme të ndryshme nuk mund të rrinë së bashku dhe kanë nevojë për përkujdes specifik.