Të afërm të anëtarëve të klanit Duka, shumë prej të cilëve janë shpallur në kërkim për vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko janë marrë në pyetje lidhur me atentatin në të cilin mbeti viktimë Erigers Mihasi e Armando Dumani. Gazetarja Anila Hoxha raporton për Top Channel se të afërm të personave që konsiderohen si anëtar të këtij grupi kanë dhënë llogari në lidhje me vendndodhjen e kryesuesve të grupit që janë ende në kërkim.
Gjithsesi nuk janë zbardhur ende detaje nga dëshmitë e tyre. Po ashtu është ushtruar kontroll edhe në një lokal në Tiranë, i cili njihet si bazë e klanit Duka, por nuk dihet asgjë në lidhje me rezultatet e kërkimeve të bëra.
Erigers Mihasi dhe Armand Dumani u qëlluan për vdekje në zonën e Astirit, brenda “Audi”-t me ngJyrë të bardhë me targa “AA 008 EM”, i cili ishte në lëvizje. Atentatorët qëlluan nga një tjetër makinë në lëvizje e llojit “Toyota”, e targa “AA 532 ON” që rezultojnë të vjedhura në Tiranë, në korrik të kësaj vere. Ky mjet, por i djegur është e vetmja gjë që kanë lënë autorët pas.
Për vrasjen e Santiago Malkos, prokuroria akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Nuk dihet nëse kanë qenë të afërmit e tyre që janë marrë në pyetje apo nëse bëhet fjalë për persona të tjerë. Nga ana tjetër, Prokruroria e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 19 vite burg për Blendi Tetën, të akuzuar për të njëjtin krim dhe pse nuk e ka pranuar asnjëherë autorësinë.