Shpërthimi i talentit 17-vjeçar, Pablo Paéz, i njohur shkurt me emrin Gavi, në ekipin e parë “blaugrana”, ka qenë një nga lajmet e pakta pozitive të këtij sezoni për Barçën.
Klubi po punon për rinovimin e kontratës së mesfushorit të ri, me aktualen që përfundon në vitin 2023.
Negociatat mes Barçës dhe përfaqësuesit të futbollistit, Iván de la Peña, janë në rrugën e duhur dhe të dyja palët shpresojnë të arrijnë një marrëveshje që Gavi të vazhdojë karrierën e tij në “Camp Nou”, por disa skuadra kryesore në Europë janë shumë të vëmendshme rreth situatës që është krijuar dhe mund të bëhen pengesë për rinovimin e kontratës së lojtarit me klubin ku është rritur.
Siç raporton gazeta “The Sun”, Chelsea i manjatit rus, Roman Abramovich, do të ishte i gatshëm të paguante 50 milionë euro, aq sa është edhe klauzola e largimit të Gavit nga Barça.
Megjithatë, te Barça kanë besim të plotë se do të arrihet një marrëveshje me Gavin, siç ndodhi edhe me Pedrin dhe Ansu Fatin. Vetë Gavi tashmë e ka bërë të qartë se prioriteti i tij është të qëndrojë te Barça dhe të luajë në “Camp Nou”, kështu që nuk pritet të dalin pengesa në bisedimet mes palëve.