Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur shqetësimin e tij mëngjesin e kësaj të shtune për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së.
Basha thotë në një postim në Twitter se rritja e numrit të azilkërkuesve dëshmon se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, duke shtuar se kjo vjen si pasojë e korrupsionit.
Kryedemokrati deklaron më tej se kjo katastrofë kombëtare merr fund vetëm duke u përballur me korrupsionin, pra duke thyer bashkëpunimin e politikës me krimin.
Postimi i Bashës
Me përjashtim të një lufte civile, një nga arsyet madhore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre është korrupsioni. Rritja e aplikimeve për azil në vendet e BE-së dëshmon edhe njëherë se masakra e 25 prillit nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët.
Fundi i kësaj katastrofe kombëtare, kërkon një përballje frontale me korrupsionin, duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, që ka shkërmoqur demokracinë dhe po mbyt të ardhmen e duke e bërë të pajetueshme për familjet shqiptare.