– Presidenti Ilir meta nuk ka pranuar që të komentojë deklaratat për referendum për Bashkim Kombëtar. Gjatë një interviste që ka dhënë për ATV, Meta i ka konsideruar këto si dëshira. Ai gjithashtu tha se dy vendet duhet që të përqendrohen më shumë në sundimin e ligjit.
“Nuk dua të hyj në komente të dëshirave të ndryshme për shkak edhe të pozicionit që kam si president. Unë mendoj se nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse rrugën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe Kosovë. Të bëjmë shembull marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë që kanë potencial për të qenë më produktive për vendet tona, pa dyshim edhe me vendet e tjera. Pastaj këtu dëshirat, apo qëndrimet e caktuara janë çështje tjetër mendoj unë”, u shpreh Presidenti.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria duhet që të heqë dorë nga arroganca për tu shfaqur si kujdestar i Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria është shumë vite larg Kosovës, duke iu referuar këtu procesit zgjedhor.
“Shqipëria duhet të heqë dorë nga arroganca apo të dëshira për tu shfaqur si kujdestar i Kosovës. Shqipëria për fat të keq sot, që duhet të ishte shembull edhe për Kosovën, Shqipëria është vite larg sa i takon zgjedhjeve, pranimit të tyre, por edhe në aspekte të tjera, në atë të ekonomisë së tregut. Shqipëria ka detyrë të mbështesë udhëheqësit e Kosovës dhe të nxisë jo përçarjet, por bashkëpunimet. Kjo është detyra e Shqipërisë”, tha Meta.