Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në bujqësi, Krifca: Lehtësojmë barrierat tarifore për të nxitur zhvillimin tregtar

0

Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrja Krifca në fjalën e saj bëri me dije bashkëpunimin e vijuar me ministrin e Bujqësisë z. Peci edhe në lidhje me unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore dhe veterinare.

“Me Ministrin Peci, gjatë muajit të fundit, kemi zhvilluar dy takime në Tiranë, për të përshpejtuar bashkëpunimin midis institucioneve tona. Puna po ndërtohet mbi bazat e angazhimeve të marra më parë. Shembull i rëndësishëm është protokolli për njohjen reciproke dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore dhe veterinare që shoqërojnë kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore. Ky protokoll është shoqëruar me disa problematika, por konsiderohet tashmë i zbatuar nga palët. Kemi sot 43 certifikata të unifikuara dhe të njohura nga të dy autoritetet.”, tha Krifca.

Më tej Krifca tha se eliminimi i barrierave tariforeve dhe jo tarifore me Kosovën është një kosto e kursyer për të dyja vendet.

“Ndërkohë kemi dakordësuar me Ministrin dhe po punojmë për të eliminuar totalisht barrierat tarifore dhe jo tarifore, pasi kjo na ndihmon të reduktojmë kostot administrative të operatorëve, kosto këto që ndikojnë mbi produktin final. Po ashtu, ne kemi marrë përsipër të angazhohemi për shkëmbimin e përvojave për programet IPA për Zhvillimin Rural si edhe me projekte të përbashkëta në blegtori dhe turizëm rural.”, u shpreh ministrja.

Krifca shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Kosovën do të shërbejë për tregtinë mes dy vendeve.

“Në këtë kontekst ne sot nënshkruajmë marrëveshjen për të formalizuar vullnetin e këtij bashkëpunimi duke mundësuar zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave në hartimin e legjislacionit, standardeve dhe informacioneve statistikore ku fokus të veçantë në këtë marrëveshje kemi angazhimin për të hequr barrierat, heqjen e tarifave të kontrollit zyrtar për të lehtësuar në këtë mënyrë bizneset tona dhe për të nxitur rritjen e volumit tregtar në fushën e bujqësisë”, përfundoi Krifca.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu