– Policia spanjolle ka arritur të godasë bandën famëkeqe neo-naziste të ‘Boixos Nois’, e cila përbëhej nga një grup huliganësh që mbështetin klubin e futbollit ‘Barcelona’. Mediat e huaja raportojnë se sipas policisë krimet e tyre shkojnë përtej rivaliteteve të futbollit.
Gjatë operacionit pasi u kontrolluan 18 shtëpi, policia vuri në pranga 14 anëtarë të bandës. Gjithashtu u sekuestruan 10 armë zjarri dhe 5000 bimë kanabis sativa, me peshë 42 kilogramë.
“Të arrestuarit drejtonin një organizatë kriminale jashtëzakonisht të dhunshme të përfshirë në një sërë krimesh, si trafiku i drogës, prostitucioni i detyruar ose importimi i medikamenteve të paligjshme”,– thuhet në deklaratën e policisë.
E themeluar në vitin 1981, ‘Boixos Nois’ nisi të funksiononte si një grup socialist i krahut të majtë, por më pas grupi ndryshoi krah dhe filloi të përkrah të djathtën ekstreme dhe fashizmin. Gjithashtu ata hodhën kokën e një derri në “Camp Nou” në vitin 2002, kur ish-ylli i Barcelonës, Luis Figo u kthye atje si lojtar i Real Madridit.