– Vdekja e 45 pasagjerëve në autobusin e “Besa Trans” në autostradën e Strumës në Bullgari vazhdon të hetohet nga autoritetet bullgare duke nxjerrë informacione më të plota rreth rrethanave të tragjedisë, sinjalistikës rrugore dhe të detaje të tjera. Ditën e sotme, grupi hetimor zbuloi dinamikën përplasjes së autobusit të linjës Shkup-Stamboll-Shkup. Fillimisht, autobusi ka goditur bordurën anësore të rrugës duke shkëputur një pjesë të saj dhe për inerci automjeti është goditur në krahun e djathtë me trafikndarësen e dyfishtë në mes të autostradës. Fërkimi i pjesës së bordurës së shkëputur me asfaltin ka ndezur shkëndija që kanë ndezjen e flakës në serbatorin e autobusit, ç’ka u bë shkaku kryesor i tragjedisë ku humbën jetën 45 veta.
Zv/prokurori bullgar Borislav Safarov shtoi se shoferi i automjetit ka gabuar edhe për shkak të sinjalistikës jo të mirë të rrugës. Ndërkohë, është folur dhe për çështjen nëse shpejtësia e madhe e autobusit (120 km/h) të ketë qenë shkaku kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë.
Një inxhinier bullgar u shpreh se aksi rrugor i Strumës përballon shpejtësi deri në 90 km/h, ndërsa ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike Violeta Komitova nuk e konsideroi shpejtësinë e autobusit si shkakun kryesor të vdekjes së 45 pasagjerëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ndër të tjera, ajo theksoi se dhe sipërfaqja rrugore është në kushte ideale për të udhëtuar, prandaj nuk mund të konsiderohet si faktor i përplasjes. Në tërësi, autoritetet bullgare theksojnë se sinjalistika rrugore në Strumë është e degraduar.
Për herë të parë u shpreh dhe pronari i kompanisë “Besa Trans” Bekim Haxhiu, i cili rezultoi të ishte njëri prej shoferëve të 4 autobusëve që udhëtuan drejt Stambollit. Për televizionin bullgar “BNT”, Haxhiu tregon se nuk ka patur tuba apo serbatorë shtesë me karburant, ndërsa kontrollet për autobusët në Bullgari kanë qenë rigoroze.





