Nga Frank Shkreli*
Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Po të drejtohem me “Zonja Kim”, pasi prej sot, unë si shtetas dhe taksapagues amerikan me origjinë shqiptare nuk të konsideroj si ambasadorja ime në atdheun e të parëve të mi – as përfaqësuese e këtij vendi të madh të lirisë e demokracisë, që e quajmë Amerika jonë e dashur, ku unë dhe familja ime, ashtu si edhe qindëra mijëra shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trevat shqiptare kemi gjetur strehim dhe liri për veten dhe familjet tona, ashtu siç kanë gjetur edhe miliona njerëz nga mbarë bota, të arratisur nga komunizmi gjatë shekullit të kaluar.
Zonja Kim, për pothuaj dy vite në krye të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ti ke shkelur shumë vija të kuqe që një diplomat/e amerikane kurrë nuk do duhej t’i shkelte. Kjo është puna jote dhe e mbikqyrësve tu në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH). Por gjëja që nuk të falet, të pakën nga pikëpamja ime, është deklarata jote provokuese e ditëve të fundit në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, me rastin e 29 nëntorit, “Çlirimit” të Shqipërisë, sipas teje: “Shqipëria shënon sot përvjetorin e 77 të Çlirimit. Në këtë festë zyrtare, shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët në luftë dhe kremtojnë lirinë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri”, është urimi i ambasadës që ti kryeson, Zonja Kim.
Më duhet të sqaroj që në fillim se këtu nuk bëhet fjalë për ata që luftuan për katër vjetë dhe që vdiqën në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi, por për “çlirimin”, siç e quan përfaqsuesja Kim, që solli në pushtet një regjim komunist gjakatar, me në krye qoftëlargun, Enver Hoxhën. Regjim i cili, përveç mijëra kundërshtarëve të tij ideologjikë, përfshirë familje të tëra, gra e fëmij e pleq — zhduku pa mëshirë edhe bashkpuntorët e vet më të ngushtë, për pothuaj një gjysëm shekulli. Ky “Çlirim”, në të vërtetë e këtheu Shqipërinë, për pothuaj 50-vjet, në një skenë krimi. E gjithë Shqipëria ishte një burg telash me gjemba.