– Një karabinier italian Fabio Cervellieri me mision në Kosovë, ka ndihmuar një vajzë 4-vjeçare, e cila vuante nga diabeti. ilmessaggero shkruan se Cervellieri ishte duke kryer një shërbim patrullimi kur hasi në një vajzë 4-vjeçare që vuante nga diabeti mellitus tip 1.
Më pas, i prekur nga rasti ai pagoi për blerjen e insulinës dhe një pajisjeje të aftë për të matur nivelin e glicemisë së vajzës së vogël. Ai gjithashtu arriti që të mbledh lekët për ta transferuar vogëlushen në Itali për të marrë mjekim më të specializuar. 4-vjeçarja është shtruar në Romë dhe mjekët janë duke kryer hetime për identifikimin e terapisë së duhur.
I gjithë Regjimenti i Karabinierëve të MSU-së e ka marrë në zemër këtë çështje, duke mbledhur, përmes një koleksioni të organizuar në mesin e të gjithë stafit, paratë e nevojshme për vajtje-ardhje Prishtinë – Romë. Vajza e vogël, e shoqëruar nga nëna e saj, zbarkoi në Romë më 13 nëntor. Karabinierët kanë premtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë vogëlushes, duke u siguruar që ajo të gëzojë shëndet të mirë.