– Sir Stuart Peach është emëruar i dërguarI i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Gov.uk, Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon. Peach, i cili mban titullin “Sir” do të marrë detyrën e re pas dorëheqjes nga detyra e shefit të Komitetit ushtarak të NATO-s më herët gjatë vitit, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018.
“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndarjen e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euro-atlantik në këtë rajon vendimtar”, tha Boris Johnson.
Ai ka shërbyer më herët edhe si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë. Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për të mbështetuar dhe forcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke ndihmuar në trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar dhe sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.
Në njoftimin për emërimin e tij është thënë se i dërguari i posaçëm do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në Bosnje. Schmidt ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë emëruar më herët gjatë këtij viti të dërguarin e ri të posaçëm për këtë rajon. Gabrial Escobar e ka zëvendësuar Matthew Palmerin nga muaji shtator. Bashkimi Evropian ka të dërguar për këtë rajon zyrtarin, Mirosllav Lajçak.