Situata e krijuar brenda PD me dy Kuvende Kombëtare të thirrura nga Sali Berisha më 11 Dhjetor dhe 18 Dhjetor nga Lulzim Basha nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së Departamentit Amerikan të shtetit.
Burime diplomatike i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se është duke u planifikuar që Tiranën ta vizitojë më 9 Dhjetor zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Euroazinë, Gabriel Escobar.
Vlen për tu parë në ditët në vijim nëse këto përgatitje do të finalizohen me këtë vizitë.
Kjo vizitë nëse do të ndodhë do të jetë vetëm 2 ditë përpara mbajtjes të kuvendit kombëtar thirrur nga PD.
Sipas të njëjtave burime në Tiranë Escobar nëse do ta konkretizojë këtë vizitë do të takohet vetëm me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD Lulzim Basha.
Përmes ambasadores Yuri Kim e ka bërë të qartë pozicionin e vet nëse Sali Berisha merr drejtimin e PD.
Në një intervistë për Top Channel tre javë më parë ambasadorja Yuri Kim tha se:”Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”.