Varianti Omicron i COVID-19 ka të ngjarë të ketë fituar të paktën një nga mutacionet e tij duke marrë një pjesë të materialit gjenetik nga një virus tjetër. Reuters shkruan se Omicron mund të ketë marrë një nga mutacionet që shkakton ftohjen e zakonshme.
Kjo sekuencë gjenetike nuk shfaqet në asnjë version të mëparshëm të koronavirusit, të quajtur SARS-CoV-2, por është i kudondodhur në shumë viruse të tjerë duke përfshirë ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme dhe gjithashtu në gjenomin e njeriut.
Duke futur këtë fragment të veçantë në vetvete, Omicron mund ta bëjë veten të duket “më njerëzor”, gjë që do ta ndihmonte atë të shmangte sulmin nga sistemi imunitar i njeriut, tha Venky Soundararajan nga Kembrixh.
Kjo mund të nënkuptojë se virusi transmetohet më lehtë, ndërsa shkakton vetëm sëmundje të butë ose asimptomatike. Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse Omicron është më infektues se variantet e tjera, nëse shkakton sëmundje më të rënda apo nëse do të kalojë Delta si varianti më i përhapur. Mund të duhen disa javë për të marrë përgjigje për këto pyetje.
Sipas studimeve të mëparshme, qelizat në mushkëri dhe në sistemin gastrointestinal mund të mbajnë njëkohësisht SARS-CoV-2 dhe koronaviruse të zakonshme. Një bashkë-infeksion i tillë krijon skenën për rikombinimin viral, një proces në të cilin dy viruse të ndryshëm në të njëjtën qelizë pritës ndërveprojnë ndërsa bëjnë kopje të tyre, duke gjeneruar kopje të reja që kanë një material gjenetik nga të dy “prindërit”.