Efektivi i policisë në Dibër Arbër Sula do të kryente sot testin për përdorimin e drogës. 27-vjeçari vrau me pistoletë Jurgen Dako në një supermarket në rrugën “Irfan Tomini” mëngjesin e sotëm pas një sherri për motive banale (për radhën e klientëve në supermarket).
Lajmi për kryerjen e testit të drogës ditën e sotme është konfirmuar nga Euronews. I riu përshkruhet si person i qetë. Policia ka shpallur në kërkim punonjësin e policisë në sektorin e krimeve të rënda në Dibër. Ai u largua menjëherë pas ngjarjes me makinën e tij.
Miku i viktimës O.D., i cili ishte dhe dëshmitar në ngjarje, tregoi se sherri nisi për radhën në kasën e supermarketit. Policia raportoi pak kohë pas raportimit të ngjarjes se në xhepat e pantallonave të Jurgen Dukës u gjetën 2.8 gramë kokainë.
Duka rezulton si person me precedentë penal. Ai u arrestua vitin e kaluar pas një operacioni mes Shqipërisë dhe Italisë ku u ndaluan 15 persona për organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Amerika e Jugut dhe Evropa Veriore si dhe për marijuanën nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Duka ka vuajtur dënime për veprat penale “mashtrim”, “mosbindje ndaj urdhërit të policisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “përndjekje”. Nuk dihet se si Jurgen Duka ka dalë nga burgu.
Dyshohet se të rinjtë kanë qenë të dehur në momentin kur nisën sherrin. Ngjarja ka ndodhur gjatë fashës orare të ndalimit të lëvizjeve të qytetarëve.