Me shkopinj dhe karrige, plas sherri jashtë ambienteve të gjykatës

0

Një përplasje e dhunshme fizike ka ndodhur paraditen e sotme pranë godinës së Gjykatës së Selanikut, që është ndalur vetëm me ndërhyrjen e policisë. Në mediat greke është publikuar një video, ku duken disa persona që sulmonin njëri-tjetrin, teksa ishin ndarë në dy grupe të mëdha. Ata shihen teksa përdorin shkopinj, copa druri, madje edhe karriget e lokaleve që ishin aty pranë. Si pasojë e përleshjeve të dhunshme, në zonën përreth janë shkaktuar dëme të shumta materiale, ku janë thyer disa xhama biznesesh dhe janë dëmtuar disa automjete.

Ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme, ndërsa mësohet se janë shoqëruar 23 persona të përfshirë në këtë episode të dhunshme, tre prej të cilëve u arrestuan. Në vendin e ngjarjes është gjetur një karabinë dhe disa fishekë në një automjet të parkuar pranë Gjykatës.

Ndërkohë, mësohet se dy grupet u përplasën fizikisht mes tyre për një çështje që po gjykohej, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë, i karakterizuar nga dhunë ekstreme. Si pasojë e përleshjes fizike, një person është lënduar rëndë në kokë dhe është dërguar në spital për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu