18 dhjetori-Berisha ngre strukturat për shkarkimin e Bashës, kreu i PD jep mesazhin

0

Na ndajnë vetëm pak orë nga data 18 dhjetor, ditë kur Partia Demokratike do të përfshihet sërish në një përplasje dy palëshe dhe reagimet nuk mundojnë. Ish-kryeministri dhe njëkohësisht lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të thërrasë anëtarët e saj të votojnë në një referendum më 18 dhjetor për shkarkimin e Bashës, një javë pasi vulosi me 4 mijë e 446 vota këtë vendin në Kuvendin e 11 dhjetorit që mbajti në “Air Albania”. Tashmë përgatitjet kanë nisur. Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë, do të votojnë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë. Drejtuesit kanë treguar se në votim pritet të marrin pjesë rreth 50 % e anëtarëve. Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote.

Në këtë zonë janë ngritur 4 qendra votimi pë të votuar për shkarkimin e Bashës, por ende nuk ka mbërritur baza materiale për referendumin. Në Fushë-Krujë, votimi pritet të zhvillohet në një pikë të vetme, te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë.  Në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi. Në Korçë janë 3500 anëtarë, në Pustec 3600. ndërsa në Pogradec janë 900 anëtarë. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi. Dyert e degës së PD-së në Elbasan vijojnë të qëndrojnë të kyçura, pavarësisht se deputeti Ervin Salianji e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas Salianjit 80% do të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Vetë kryedemokrati Lulzim Basha ka përcjellë mesazhin e fortë për delegatët një ditë para mbajtjes së Kuvendit që pritet të nisë punimet në orën 11:00, në Pallatin e Kongreseve. Sipas Bashës, pjesëmarrja e çdo delegati në këtë Kuvend është një mesazh bashkimi kundër regjimit të kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike tashmë po përballet edhe në Gjykatë. Basha ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për regjistrim statutin e ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik, e ndërsa Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike ka depozituar ndryshimet e vendosura më 11 dhjetor në Kuvendin e mbajtur nga Berisha.

Ç’parashikon statuti i 11 dhjetorit:

*Zhbërjen e vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për ta përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD.

*Pas Kuvendit për 4 muajt në vijim do të ketë një Komision të Përkohshëm të Rithemelimit që merr drejtimin e ekzekutiv të PD-së deri në konstituimin përfundimtar të organeve drejtuese (deri më 22 mars 2022)

*Procesi i zgjedhjeve nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.

*Futja e referendumit

*Forcimi i organeve kolegjiale

*Nëse humbet zgjedhjet, pavarësisht arsyes, kryetari largohet.

Një ditë më parë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka depozituar në Gjykatën e Tiranës ndryshimet e bëra në statut në Kuvendin e mbledhur nga PD më 17 korrik. Mësohet se çështja është regjistruar dy ditë më parë dhe është shortuar pranë kësaj gjykate. Dosja është në duart e gjyqtares Blerina Muça.

Ç’u vendos më 17 korrik?

Lulzim Basha propozoi 11 ndryshime duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Kryedemokrati krijoi Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale, zgjeroi Kryesinë, Sekretariatet dhe shtoi strukturën e përhershme  të Këshillit Koordinues të Qarkut.

Por si ka përfunduar çështja deri në këtë pikë?

Historia fillon në 9 shtator kur Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën, tashmë “non grata” nga Amerika nga grupi parlamentar. Pas vendimit të Bashës, Berisha iu rikthye aktivitetit të tij politik, duke nisur takimet me bazën që i quajti “Foltore”. Më 11 dhjetor, Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha votoi me 4446 fleta pro shkarkimit të Bashës. Gjithashtu u ngrit edhe një grup Komisioni i Përkohshëm me 29 anëtarët për të nisur të gjitha procedurat e nevojshme.

Pikërisht ky Komision pritet ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2020 kur do të thirret një Kuvend i ri për të zgjedhur kryedemokratin e ri dhe funksionarët e tjerë. Por Basha nuk e njeh vendimin, pasi përjashtoi nga Këshilli Kombëtar i PD-së, të gjithë mbështetësit e Berishës, duke i zëvendësuar të gjithë anëtarët e Kryesisë. Por kundërpërgjigja e vendimit të Bashës, erdhi me hyrjen në PD të Berishës dhe mbështetësve të tij. Lufta mes palëve ka nisur, por nuk dihet përfundimi…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu