Pensionistët, të cilët e marrin pensionin e tyre në bankë, do të mund ta tërheqin atë në datë 20 dhjetor, ku bashkë me këstin mujor të dhjetorit, do të marrin edhe 5 mijë lekëshin bonus.
Këtë e ka bërë me dije Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili ka dhënë detaje në një konferencë për mediat, lidhur me shpërblimet e fundvitit që do të marrin pensionistët si dhe familjet me ndihmë ekonomike apo ato familje që kanë persona me paaftësi.
“Shpërblimi janë të gjithë penskionistët e pleqërisë, familjarë, të invaliditetit ata që përfitojnë pension social, pension të parakohshëm, ish ushtarakët, përfitojnë të gjithë kategoritë e tjera që kanë dalë para kohe në pension. Kete shperblim e perfitojne jo vetem ata qe ne momentin qe ka dale vendimi kane qene perfitues, por edhe ata qe mbushin moshen e daljes ne pension neser apo ne daten 31 edhe ata kane te drejten e ketij shperblimi. Të gjithë qytetarët që marrin pensionin në bankë do e marrin në datë 20 dhjetor. Do xhirohen 65 mijë pensione në bankë, kësti mujor i dhjetorit dhe 5 mijë lekë bonus. Sot ka nisur shpërndarja edhe për pensionet e atyre që jetojnë në fshat dhe të gjithë do e marrin deri në fund të vitit bashkë me bonusin. Ata që e marrin në shtëpi që ua çojë posta pensionet, pasi e kanë zgjedhur vetë, automatikisht do u vejë edhe shpërblimi njëlloj si kësti mujor i pensionit”, tha Hado.
Të gjithë ata që s’kanë mundësi apo s’duan ta tërheqin këtë shpërblim deri më 31 dhjetor, e kanë këtë të drejtë që ta marrin në momentin kur të tërheqin pensionin. Drejtori i ISSH sqaroi se pensionistët që marrin edhe ndihmë ekonomike, do të marrin vetëm një shpërblim.
“Shpërblimi jepet vetëm një herë. Kemi 745 mijë përfitime se ka qytetarë që marrin dhe pension pleqërie dhe pension si ushtarak dhe invaliditet, shpërblimi është për një njeri, s’mund të jepet për një individ një shpërblim dy herë”, deklaroi më tej në këtë konferencë Hado.
Qeveria ka miratuar shpërblimin prej 5 mijë lekësh të reja për pensionistët dhe 3 mijë lekë të reja për familjet me ndihmë ekonomike dhe ata që kanë persona me paaftësi me rastin e festave të fundvitit.