Një muaj pas tragjedisë në festivalin Astroworld të Travis Scott, autoritetet në Teksas kanë dhënë shkakun për vdekjen e 10 pjesëmarrësve. Mediat e huaja shkruajnë se sipas autopsisë pjesëmarrësit kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit.
Ekzaminuesit mjekësorë iu deshën të prisnin disa javë pas koncertit të 5 Nëntorit për rezultatet e testeve përpara se të bënin përcaktimet përfundimtare mbi shkakun dhe mënyrën e vdekjeve. Viktimat ndërruan jetë nga asfiksia e shtypjes, pasi turma në koncert filloi të ngjeshej drejt pjesës së përparme të skenës, duke shkaktuar panik dhe lëndime.
Ngjarja e rëndë e cilësuar si “incident me viktima masive”, ndodhi para një muaji në një koncert të reperit Travis Scott, mbi të cilin deri tani janë grumbulluar mbi 2800 padi të bazuara mbi neglizhencën ndaj sigurisë.