Anëtarësimi / Fati i Shqipërisë e Maq. së Veriut në duart e qeverisë së re bullgare

0

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian që përbëhet nga ministrat e Jashtëm dhe minitrat për Europën thotë se pret që fillimi i bisedimeve të shumëpritura të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të ndodhë “sa më shpejt të jetë e mundur”, por nuk pranon të thotë se kur.

Duke shpresuar se një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund të caktohet para fundit të vitit, ministrat e jashtëm dhe të Çështjeve evropiane të BE-së përsëri nuk arritën të martën të caktojnë një datë dhe nuk dhanë një kornizë kohore specifike se kur mund të ndodhë.

“Këshilli pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur,” thuhej në konkluzionet e formuluara mbi zgjerimin nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të së martës, i cili u zhvillua përpara Këshillit Evropian.

Edhe një herë, arsyeja kryesore për vonesën, për të dytin vit radhazi, ishte bllokada e Bullgarisë në rrugën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian për një histori të pazgjidhur dhe mosmarrëveshje identiteti. Sofja këmbëngul që Shkupi të pranojë një identitet ‘de facto’ bullgar që përqendrohet rreth pretendimit se identiteti dhe gjuha maqedonase janë me origjinë bullgare. Bullgaria deklaroi se nuk ishte ende gati për të hequr bllokadën ndaj Shkupit, në vend të kësaj sugjeroi ndarjen e proceseve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të paktën të mund të ecë përpara.

Por nocioni se të dy vendet duhet të përparojnë si pjesë e një pakete mbizotëroi në Këshill.

Kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili mori detyrën këtë të hënë, tha për ‘Financial Times’ se ai dëshironte të ringjallte bisedimet me Maqedoninë e Veriut që mund të rezultojë në një përparim brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Petkov shtoi se qëllimi i tij është që Bullgaria të heqë përfundimisht bllokadën e saj dhe të riorganizohet me vendet e tjera të BE-së kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Ne do t’i vendosim diskutimet me Maqedoninë e Veriut mbi një bazë të re,” u zotua ai, duke shpjeguar se plani i tij është të formojë grupe të reja pune midis dy vendeve për çështje jo vetëm që lidhen me historinë, por edhe me ekonominë, infrastrukturën dhe kulturën.

“Ne do të përdorim grupet e punës për të kërkuar zgjidhje për çështje të tilla si aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura dhe historia”, tha Petkov.

Megjithatë, ai tha se Maqedonia e Veriut së pari duhet të ndryshojë tekstet e saj të historisë dhe të heqë frazën “forca pushtuese fashiste” kur flet për pushtimin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria në Luftën e Dytë Botërore. Kjo pasi Sofia pretendon se termi nxit urrejtje.

Duke sinjalizuar hapjen ndaj idesë së Petkovit, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dha një notë pozitive të mërkurën, duke thënë se: “qasja e kryeministrit të ri bullgar, se historia nuk duhet të jetë vendi i vetëm i komunikimit midis Shkupit dhe Sofjes është i pranueshëm, për mua”.

Si pjesë e konkluzioneve të tij mbi zgjerimin, Këshilli përshëndeti gjithashtu përparimin në bisedimet e pranimit në BE të bërë nga Serbia dhe Mali i Zi.

“Këshilli mirëpret përparimin e përgjithshëm të bërë në negociatat e pranimit deri më tani, me të 33 kapitujt e shqyrtuar të hapur dhe 3 të mbyllur përkohësisht,” thuhej në përfundimet për Malin e Zi.

Por, u theksua gjithashtu se Mali i Zi do të duhet të përmbushë “pikat referuese të përkohshme të sundimit të ligjit të përcaktuara në kapitujt 23 dhe 24”.

Për sa i përket Serbisë, e cila sapo ka hapur të ashtuquajturin ‘Cluster 4’ në negociatat për anëtarësimin në BE, e cila fokusohet në axhendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme, konkluzionet përsëri mirëpritën progresin. Ata theksuan gjtihashtu se përparimi i mëtejshëm i Serbisë do të varet nga performanca e saj në “kapitujt e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe nga normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën”.

Në negociatat me BE-në deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht.

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Këshilli deklaroi se: “shprehet thellësisht i zhgënjyer për krizën e zgjatur politike në vend, e cila ka penguar përparimin e mëtejshëm në reformat në vitin 2021, dhe dënon bllokimin e institucioneve shtetërore”.

Duke folur për Kosovën, e cila, ashtu si Bosnja, nuk është ende kandidate, Këshilli përshëndeti faktin që qeveria e re e zgjedhur në mars ka konfirmuar përkushtimin e saj strategjik për rrugën e saj evropiane dhe për reformat përkatëse.

Këshilli nënvizon nevojën urgjente që Kosova të përshpejtojë proceset e reformave, në përputhje me standardet evropiane dhe në funksion të ofrimit në dobi të qytetarëve të Kosovës, duke pasur parasysh progresin e kufizuar të bërë deri më tani.

Lidhur me Turqinë, ministrat përshëndetën de-përshkallëzimin e saj me Greqinë në Mesdheun Lindor, duke theksuar se kjo “duhet të mbahet”. Ata përsëritën gatishmërinë e BE-së për t’u angazhuar me Turqinë në një mënyrë proporcionale dhe të kthyeshme në fushat me interes të përbashkët.

Marrë nga balkaninsight.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu