Shefi i OBSH-së paralajmëron për ngjarjet festive: “Një festë e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur”
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se festat në shumë vende do të çonin në “rritje të rasteve, sisteme të mbingarkuara shëndetësore dhe më shumë vdekje” dhe u bëri thirrje njerëzve që të shtyjnë organizimet festive.
“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai theksoi se varianti Omicron po përhapet më shpejt se varianti Delta dhe po shkakton infeksione te njerëzit tashmë të vaksinuar ose që janë shëruar nga sëmundja Covid-19.
Ekzekutimet e para në dy vjet: 3 të dënuar varen në Japoni
Autoritetet në Japoni kanë varur tre burra, ekzekutimet e para të vendit për dy vjet, thanë raportet e mediave të martën, ku sigurisht pati kritika për përdorimin e dënimit me vdekje.
Agjencia e lajmeve Kyodo tha se ministria e drejtësisë i kishte identifikuar burrat si Yasutaka Fujishiro, 65 vjeç, i cili vrau shtatë nga të afërmit e tij në vitin 2004, dhe Tomoaki Takanezawa, 54 vjeç dhe Mitsunori Onogawa, 44, të cilët u dënuan për vrasjen e dy punonjësve të një salloni pachinko (pajisje kumari), në vitin 2003.
Si një nga të paktat vende të zhvilluara që ende përdor dënimin me vdekje, Japonia i ka rezistuar thirrjeve të heqjes së dënimit, ndonëse është përmendur shpesh nga Bashkimi Europian, grupet e të drejtave të njeriut dhe mijëra avokatë dhe profesionistë ligjorë japonezë.
Mësuesja pushohet nga puna pasi filmua duke shkelmuar kalin
Një incident i ndodhur në lindje të Midlands, rajon në Angli, ka bërë që një mësuese e shkollës fillore të pushohet nga puna. Sarah Moulds, 37 vjeçe, u pezullua nga pozicioni i punës pasi në video dukej një kalë që goditet me shkelm në bust, goditet vazhdimisht me shuplakë në fytyrë dhe tërhiqet zvarrë në një rimorkio.
Molds u hoq gjithashtu nga pozicioni si drejtuese vullnetar në Pony Club, i cili organizon shëtitje me kuaj për fëmijët.
Moderna thotë se doza përforcuese prodhon përgjigje të fortë antitrupash ndaj Omicron
Kompania farmaceutike Moderna ka thënë se një dozë përforcuese e vaksinës së saj duket se mbron kundër variantit Omicron i cili ka treguar se përhapet më shpejtë në testimet laboratorike dhe se versioni aktual do të vazhdojë të jetë “linja e parë e mbrojtjes kundër Omicron”.
Vendimi për t’u përqendruar në vaksinën aktuale, mRNA-1273, u nxit pjesërisht nga shpejtësia e përhapjes së variantit. Kompania planifikon të zhvillojë një vaksinë posaçërisht për të mbrojtur kundër Omicron, të cilën shpreson ta avancojë në provat klinike në fillim të vitit të ardhshëm.
Vaksina e Novavax bëhet vaksina e pestë që miratohet për përdorim në BE
Vaksina e Novavax për Covid është bërë e vakina e radhës që autorizohet për përdorim në Bashkimin Europian. Vaksina mori dritën jeshile nga Komisioni Europian pasi Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e rekomandoi për përdorim të hënën.
E quajtur Nuvaxovid, është vaksina e pestë e autorizuar në BE pas Pfizer/BioNTech, AstraZeneca/Oxford, Moderna dhe Johnson & Johnson.
CEO i Novavax ka argumentuar se vaksina e kompanisë së tij “mund të ndihmojë në kapërcimin e barrierave kryesore për vaksinimin global, duke përfshirë sfidat e shpërndarjes globale dhe hezitimit të vaksinave”. Rezultatet nga provat klinike të publikuara në qershor treguan 90.4% efikasitet kundër sëmundjes dhe 100% efikasitet kundër rasteve të rënda deri në mesatare.
Mbretëresha Elizabeth II do të anulojë udhëtimin e Krishtlindjeve pas rritjeve të rasteve të Omicron
Mbretëresha Elizabeth II ka vendosur të mos i kalojë Krishtlindjet në Sandringham në Angli pas shqetësimeve për variantin e përhapur me shpejtësi, Omicron.
Pallati njoftoi të hënën se mbretëresha 95-vjeçare do t’i kalojë pushimet në Kështjellën Windsor, në perëndim të Londrës, ku ka qëndruar për pjesën më të madhe të pandemisë.
Anëtarët e tjerë të familjes mbretërore pritet ta vizitojnë gjatë periudhës së Krishtlindjes, duke marrë masa paraprake për përhapjen e virusit.
Marrë nga anabelmagazine.com