Bashkimi Evropian ka mbështetur deklarimet e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhejli, për “Ballkanin e Hapur”.
Sipas Telegraf, Ana Pisonero, njëra nga zëdhënëset e Komisionit Evropian ka thënë se Integrimi Rajonal që bazohet në rregullat e BE-së, i sjell vetëm përfitime Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, kjo është arsyeja pse BE-ja kujdeset fort për bashkëpunimin rajonal.
“Mungesa e progresit në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka penguar përfitime të rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët”, tha ajo.
Më tej BE tha se mirëpret që pjesëmarrësit e Iniciativës për Ballkanin e Hapur të jenë të përkushtuar për të promovuar integrimin më të madh rajonal dhe se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në vitin 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Ajo shtoi se përfitimet më të mëdha rajonale do të vinin nga përfshirja e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor në iniciativën e Ballkanit të Hapur.
“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha do të vinin nga gjashtë shtetet e Ballkanit. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun e vetëm të BE-së”, tha zëdhënesja e KE-së.
Ditën e martë, Komisionieri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi në një lidhje të drejtpërdrejt, ka ftuar tri shtetet tjera të Ballkanit t’i bashkohen iniciativës, pasi sipas tij përfitimi ekonomik i tyre do të ishte shumë i madh. Ai tha se gjithmonë ka qenë shumë pozitiv ndaj kësaj nisme, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, njëlloj si në BE. Varhejli tha se tre politikanët me nismën e tyre se e kanë kuptuar rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo mund të përshpejtojë integrimin ekonomik me BE.





