Gjykata e Kurbinit ka dhënë masat e sigurisë për 7 personat e arrestuar të enjten në kuadër të operacionit “Bushneshi”, pasi kishin kthyer bodrimin e një banese në “shtëpi bari” për kultivim të bimeve narkotike.
Pas provave të paraqitura nga prokuroria, gjykata e cilësoi të ligjshshëm ndalimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Taulant Baroka dhe Gimi Hida për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” si dhe “vjedhja e energjisë ose impulseve telefonik”.
Ndërsa, për Lek Allamanin dhe 4 punonjësit e OSHEE, përkatësisht Xhemal Danieli, Xhevalin Kaca, Bib Gjergji dhe Alfred Fufi u vendos masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore.
Laboratori i kanabisit ishte ngritur nga 43 vjeçari nga Tetova, Gimi Hida në bashkëpunim me Lek Allamanin, 54 vjeç, banues në Kurbin, dhe Taulant Baroka 27 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Që të tre përfunduan në pranga në kushtet e flagrancës për veprat penale “Kultivimi të bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike “. Bashkë me ta, policia arrestoi edhe katër punonjës të OSHEE për shpërdorim të detyrës.