“Skandali!”, Vasili nxjerr të punësuarit në organet e reja: Sistemi i drejtësisë në kolaps

0

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka publikuar shifrat e personave të punësuar në organet e reja të drejtësisë, teksa e cilëson skandal faktin që janë mbi 300 më shumë se sa janë gjyqtarë e prokurorë.

Vasili deklaron se sistemi i drejtësisë në kolaps nuk ka as 500 gjyqtarë dhe prokurorë, kur duhet të jenë së paku dy herë më shumë, teksa 800 njerëz qeverisin drejtësinë.
Sipas tij, kjo është drejtësia fiktive dhe me regji, që betonon pandëshkueshmërinë për qeverinë dhe padrejtësinë për qytetarët, dosjet e të cilëve nuk preken as me dorë për vite të tëra.

POSTIMI I VASILIT
Skandali. Mbi 800 njerëz qeverisin drejtësinë dhe vetëm 500 gjyqtarë e prokurorë ka gjithë sistemi!
Sistemi i drejtësisë në kolaps nuk ka as 500 gjyqtarë dhe prokurorë, kur duhet të jenë së paku dy herë më shumë.
Pra, ata që duhet të shqyrtojnë dhjetëra mijëra dosje të çështjeve gjyqësore të akumuluara për vite të tëra janë më pak se 500.
Por plotësisht në të kundërt të këtij realiteti tronditës anë e mbanë vendit, Sistemi i Drejtësisë ka një armatë të tërë të mirëpaguar nga paratë e popullit, që me demek qeveris një sistem drejtësie, që është realisht në kolaps të plotë.
Shifrat skandaloze flasin vetë.
Ja disa fakte se sa punonjës kanë institucionet, që me demek po qeverisin sistemin e të ashtuquajturës “drejtësi e re”:
🟥 K.L.GJ ka 125 punonjës.
🟥 K.L.P ka 70 punonjës.

🟥 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka 115 punonjës sikur ky kontrollon gjithë Ballkanin.
🟥 Prokuroria e Përgjithshme ka 130 punonjës.
🟥 KPK ka 87 punonjës,
🟥 K.P.A ka 70 punonjës;
🟥 Komisionieri Publik 46 punonjës.
🟥 ONM ka 70 punonjës.
🟥 Ndërmarrja e Pastrimit të Polit të Drejtësisë 60 punonjës.
🟥 Pa llogaritur SPAK me 90 punonjës dhe
🟥 BKH që ka 70 punonjës.
Pra më shumë se 800 punonjës.
Të gjithë këta, që duan, rroga, makina, zyra, dieta, telefona, pajisje, shërbime, pastrime, letra, bojë, ujë, drita, ofiqe.
Po për çfarë në fund të fundit?
Vetëm për të thënë që situata po kolapson dhe për të mos bërë asgjë tjetër, ndërkohë që ngrehina e drejtësisë së vërtetë për qytetarin po gremiset.
Kjo nuk është drejtësi reale, e përgjegjshme dhe serioze që u garanton qytetarëve as të drejtën kushtetuese minimale për të marrë drejtësi.
Kjo është drejtësia fiktive dhe me regji, që betonon pandëshkueshmërinë për qeverinë dhe padrejtësinë për qytetarët, dosjet e të cilëve nuk preken as me dorë për vite të tëra.

Vasili Fb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu