Kreu i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell është pro mbajtjes së referendumit të Serbisë edhe në Kosovë. Borell me anë të një postimi në Twitter thotë se njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa përmend se në të kaluarën ka qenë misioni i OSBE-së ai që është marrë me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.
‘Fola dje lidhur me mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues të së dielës në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit të OSBE-së. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar,-shkruan Borell.
Kryeministri Albin Kurti, dje pas bisedës që kishte pasur me Borellin, kishte deklaruar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë. Ndërkohë ka theksuar se” Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”.