Mjekja Najada Çomo pranoi se dorëzoi mandatin e deputetes për shkak të rritjes së numrit të rasteve me infektim nga COVID-19. Në intervistë për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, çomo tha se do të jo normale që të shkonte në parlament në një kohë kur nevojitej përkushtimi i saj ndaj menaxhimit të pandemisë.
Ajo shtoi nëse situata e infektimeve nga COVID-i do të ishte ndryshe, ajo do të ushtronte mandatin si deputete në parlamentin shqiptar.
PJESË NGA EMISIONI “KJO JAVË”:
Pse e refuzuat ftesën si deputete?
Najada Çomo: Mua mu propozua që të isha kandidate për deputete nga kryeministri. Ishte nder i madh dhe e pranova këtë kërkesë për të çuar zërin tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Shkuarja në parlament përkoi me shtimin e numri të rasteve dhe e quajta jo normale për të ikur nga lufta e për të shkuar në një vend tjetër. U gjet një zgjidhje kompromisi që unë të vazhdoja punën në spital.
A ishit e dyzuar në vendimin?
Najada Çomo: Jo s’kam qenë e dyzuar. Nëse do të kishim numër të vogël rastesh, vendimi im do të ishte ndryshe. Por shtimi i rasteve, ishte e pamundur për të braktisur luftën. Kjo është një luftë që duhet çuar deri në fund.