Gazetari Enver Robelli ka dënuar moskujtimin e masakrës së Reçakut nga institucionet shqiptare. Me anë të një postimi në Facebook, gazetari shkruan se vendet e huaja, si Franca apo SHBA-ja e kujtuan masakrën e Reçakut, ndërkohë që asnjë reagim nuk ka ardhur as nga qeveria dhe as nga opozita shqiptare. Ai gjithashtu shkruan se kujtimet e të vrarëve të kësaj masakre nuk u përkujtuan as nga figurat dhe intelektualët më ndikim në vend.
Postimi i Plotë:
Vetëm Shqipëria hesht…
Dje Ambasada e Francës në Twitter shkroi: “23 vjet më parë në Reçak u vranë 45 civilë të pafajshëm. Drejtësia duhet të vihet ne vend. Ne nuk do ta harrojmë këtë masakër dhe viktimat e saj”. Dje ambasadori i SHBA-ve mbajti një fjalim në nderim të viktimave të Reçakut dhe kundër atyre që mohojnë këtë masakër. Dje ambasadori i Britanisë së Madhe mori pjesë në komemoracionin për viktimat e Reçakut. Politikanët e Kosovës, mediat, zërat publikë nderuan e kujtuan të vrarët, të gjithë civilë të paarmatosur. Në krejt këtë tablo mungon diçka: mungon Shqipëria. Shqipëria heshti për Reçakun. Një fjalë nuk e tha Ministria e Punëve të Jashtme. Nuk foli as kryeministri. Nuk folën as politikanë të opozitës. Nuk folën as intelektualë e zëra të tjerë publikë, nuk folën publicistët, nuk folën gazetarët e njohur e me ndikim, nuk foli askush. Heshtja e tyre flet shumë. Në një botë ideale në Tiranë do të hapej një ekspozitë për krimet në Reçak. Në Korçë kryetari i Bashkisë do të hapte po ashtu një ekspozitë (ah, jo, se ai merret me festa birre…), në Elbasan do të projektoheshin emrat e viktimave, në Sarandë, në Vlorë, në Shkodër…
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes. Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi. Zyrtari serb Aleksandër Vulin ka mohuar disa herë në të kaluarën Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.