Dhunë në familje, drogë e dorezë metalike / 2 të arrestuar e 4 të proceduar

0

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona, ndërsa ka nisur procedim për katër të tjerë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Në pranga ka rënë një 51-vjeçar me inicialet L.D., banues në fshatin Gurras, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij N. D., 58 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, i 20-vjeçarit me inicialet A. T., banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë kontrollit që shërbimet e policisë ushtruan në mjetin tip “Benz”, në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën personale të tij gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një dorezë hekuri (përforcuese grushti).

Sipas njoftimit të bluve të Korçës, janë proceduar penalisht 4 persona për vepra të ndryshme penale, përkatësisht një 30-vjeçar i identifikuar si A.K., banues në fshatin Memëlisht, Pogradec dhe M. Ç., 41 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, pasi akuzohen për veprën “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi janë konstatuar me mjetet tip “Mitsubishi” dhe mjetin tip “Golf”, pa targa dhe pa dokumente, duke transportuar dru zjarri pa lejen përkatëse.

Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, për shtetasit J. H., 44 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll dhe F. Ç., 35 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, pasi në fshatin Ponçarë, këta shtetas u konstatuan duke kryer punime në ndërtimin e një objekti kulti, pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu