Zgjedhjet e pjesshme lokale, Noka: Garojmë dhe fitojmë shumicën e bashkive

0

Deputeti i përjashtuar nga Partia Demokratike Flamur Noka tha se sot është i bindur që kryetari i PD Lulzim Basha nuk i ka dashur kurrë demokratët dhe partinë, por i ka interesuar vetëm vula dhe karrigia për të realizuar projektin e shkatërrimit të partisë më të madhe opozitare. Në emisionin “Premium” në “Fax News”, Noka shtoi se Basha është i vetmi lider opozite në botë që qëndron në parti për t’u pasuruar.

“Unë kam patur dyshimet e mia, por sot ua them me siguri absolute. Basha nuk e ka dashur kurrë PD-në dhe demokratët, atij i është dashur vula dhe karrigia për të realizuar projektin e tij dhe planin për të shuar të gjithë PD-në. Në asnjë vend të botës nuk ka lider opozite që pasurohet vetëm në Shqipëri. Ky është një rast unik ku korruptohet lideri i opozitës. Sepse nuk mund të pranohet të kthehet PD në një parti të kunatit. Kjo është arsyeja përse ai përbuzet”, tha Noka.

Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen në së shpejti, deputeti Noka u shpreh se PD do të ketë kandidatët e saj dhe do fitojë shumicën e bashkive. Ai bëri me dije se po bëhen bisedime për të krijuar front më të madh opozitar.

“Ne kemi marrë vendim që në zgjedhjet lokale të pjesshme PD të ketë kandidatët e saj. Të jeni të sigurtë që do fitojmë shumicën e këtyre bashkive. Pas datës së zgjedhjeve do të shihni fitues demokratët. Do jemi në aleancë. Gjithkush do të ftohet dhe do jetë pjesë e frontit opozitar. Kemi filluar bisedimet. Jo vetëm të fitojmë zgjedhjet por të rikthejmë dinjitetin për shqiptarët. Ne kemi vetëm një sfidë, të çojmë demokratët në pushtet që nuk e bëri kurrë pengu. Ne kemi mision mbrojtjen e pluralizimit dhe rikthimin e demokratëve në pushtet”, përfundoi Flamur Noka në “Fax News”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu