Presidenti Ilir Meta kërkon që të krijojet dekorata e lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”. Kreu i shtetit kërkon bashkëpunim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollën për këtë dekoratë.
“Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar.”– shkruan Meta.
POSTIMI I PLOTË:
Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorit të rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore shqiptare kam vendosur t’i kërkoj bashkëpunimin Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”. Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar. Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.