Ousmane Dembélé u përfol shumë gjatë afatit kalimtar të dimrit. Aq sa presidenti Joan Laporta u detyrua të flasë për të, në një konferencë për shtyp të martën, duke u lidhur fillimisht me rezultatet e auditimit financiar mbi drejtimin e klubit nga ish-drejtuesit.
“Dembele preferoi të qëndronte te Barça edhe për gjashtë muaj. Nuk është mirë as për të, as për ne. Zgjatja e tij do të na kishte dhënë më shumë hapësirë për të punuar me lehtësi gjatë kësaj dritareje transferimi. Është e vështirë të kuptosh pozicionin e tij”,- tha presidenti i klubit katalanas.
“Atij iu ofruan dy oferta nga klube të cilat ishin të shkëlqyera, ai refuzoi. Është befasuese,”- vazhdoi Laporta përpara se të shtonte, se ai dëshiron të “ndërtojë një ekip konkurrues, por Dembélé nuk do të jetë pjesë e këtij projekti vitin e ardhshëm. “Ne besojmë se ai ka një marrëveshje me një klub tjetër, të paktën agjenti i tij e ka lënë të kuptohet”.