Sejko: Inflacioni do të jetë mbi 3% këtë vit, objektivi për ulje i paarritshëm në 2022-n

0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko të mërkurën deklaroi se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në tre mujorin e katërt, duke arritur në 3.7% në muajin dhjetor.

Sejko tha se ndryshe nga sa ishte parashikuar inflacioni do të kthehet në objektiv prej 3% vetëm në vitin 2023 dhe jo këtë vit. Edhe gjatë vitit 2021, inflacioni ishte në numra të lartë, por kjo u ndikua nga shtrenjtimi i çmimeve dhe i naftës.

“Inflacioni gjendet në çmimet e gjithë artikujve të shportës së konsumit. Përshpejtimi i tij u diktua nga rritja e ushqimeve të përpunuara dhe çmimeve të naftës. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në mënyrë të qëndrueshme gjatë 2023 në pasqyrim të balancimit të kërkesës e ofertës e rritjes së punësimit e pagave në linjë me produktivitetin”, tha Sejko.

Guvernatori deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e la normën bazë të interesit të pandryshuar.

Ai theksoi se rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, lëndëve energjetike, kostove të transportit, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm të inflacionit në tre mujorin e katërt.

“Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 10.4% gjatë 3 tre mujorëve të parë të vitit, informacionet sinjalizojnë zgjerim të mëtejshëm të saj në tremujorin e katërt. Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka kaluar nivelin e tij të para tërmetit dhe para pandemisë, duke ilustrusr rimëkëmbjen e shpejtë të kërkesës”, tha Guvernatori.

Sipas Sejkos, edhe me trajektore rritëse, hovi i rritjes ekonomike gjatë vitit 2022 do të jetë më i ngadalshëm se ai i vitit të kaluar.

Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”.

Në bazë të këtij vendimi, pezullohet deri në fund të vitit 2022, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit të realizuar gjatë vitit 2021.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu