Ish-drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka dhënë shembuj sesi shteti mbron qytetarët nga rritja e çmimeve, duke iu referuar naftës. Me anë të një postimi në Facebook, Abazi shkruan se Kroacia dhe Hungaria kanë ndërhyrë në treg duke vendosur çmime tavan për qytetarët, duke iu referuar masave të ndërmarra në tetorin dhe nëntorin e vitit të kaluar.
“BE e lejon ndërhyrjen e qeverive për të caktuar një çmim tavan për shitjen e naftës në mbrojtje të konsumatorit deri në një periudhë 90 ditore, për të tejkaluar krizat. Ka edhe masa të tjera që shteti mund të ndërmerrte, por kjo më lart është vetëm një shembull për të hedhur poshtë demagogjinë e retorikës publike të pushtetit në Shqipëri,”-shkruan ai ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË:
Nuk është e vërtetë ajo çka thotë pushteti në Shqipëri për pamundësinë e shtetit për të marrë masa në lidhje me rritjen e çmimit të naftës. Nuk është e vërtetë se kemi vetëm dy alternativa: ose treg i lirë, ose diktaturë totalitare. Nuk është e vërtetë se në demokracitë liberale shteti nuk ndërhynë në treg. Kroacia dhe Hungaria janë dy shtete të BE-së që i janë përgjigjur së fundmi krizës së rritjes së çmimit të naftës duke i mbrojtur qytetarët e tyre me çmime tavan. Kroacia e aplikoi këtë masë gjatë muajit tetor dhe nëntor të vitit të kaluar. Në fakt, BE e lejon ndërhyrjen e qeverive për të caktuar një çmim tavan për shitjen e naftës në mbrojtje të konsumatorit deri në një periudhë 90 ditore, për të tejkaluar krizat. Ka edhe masa të tjera që shteti mund të ndërmerrte, por kjo më lart është vetëm një shembull për të hedhur poshtë demagogjinë e retorikës publike të pushtetit në Shqipëri.
Për të disatën herë brenda disa muajve, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur duke kapur vlerën e 194 lekëve për litër, duke hapur të njëjtën kosto si në Zvicër. Ndërsa sot, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj nga Bilishti tha se rritja do të vazhdojë edhe për 6 muaj të tjerë, pasi sipas saj është e “detyruar” nga ana e bursës.