Katër të rinj i zhvatën miliona adoleshentes. ‘Qepin gojën’ para hetuesve, ‘kapoja’ në arrati

0

Gjykata e Korçës ka lënë në burg tre persona, të cilët u arrestuan gjatë së shtunës për kanosjen e një minoreneje, duke i zhvatur një shumë prej 8 mijë euro.

Shtetasit, Eris Beqo, Ksandros Pashollari dhe Xhulio Dapellari, janë lënë prapa hekurave, pasi ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërkohë, një person i katërt është shpallur në kërkim. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur me qëllim dhënie pasurie shtetasen e mitur 15-vjeçare F. P., së cilës i kanë marrë në kohë të ndryshme, përgjatë një periudhe 1-mujore, 200 mijë lekë dhe 8000 euro.

Operacioni

Tre të rinjtë u arrestuan nga Policia e Korçës në kuadër të operacionit të koduar “Rrjetet sociale”, i cili u zhvillua gjatë së shtunës në qytetin juglindor, pasi të rinjtë kishin kanosur një 17- vjeçareje përmes rrjeteve sociale, duke i zhvatur miliona lekë, shkruan panorama.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë pas një hetimi 1- mujor, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Rrjetet sociale’, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien epasurisë’ kryer në bashkëpunim, i shtetasve E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë; K. P., 28 vjeç, banues në Korçë; Xh. D., 21 vjeç, banues fshatin Barç, Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi K. A., 19 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.

Nga hetimet e kryera, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë kanosur nga rrjetet sociale, një 17-vjeçare, së cilës i kanë marrë përgjatë 1 muaji në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme në lekë dhe euro, në shumën 200.000 lekë dhe 8.000 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100.000 lekë, 6.000 euro, një automjet tip ‘Benz’ dhe katër aparate celularë”, sqaroi Policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu