Asambleja Politike e Partisë Popullore zhvilloi punimet online, teksa ka marrë pjesë edhe kreu i PD Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati vuri theksin tek reforma zgjedhore dhe ajo terrioriale, krahas luftës kundër korrupsionit, si prioritet që Shqipëria të ecë përpara.
Kjo pasi Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në Europë sipas raportit të këtij viti të “Transparency International”.
“Standardi ynë në luftën kundër korrupsionit mbetet i njëjtë si për korrupsionin qeveritar, ashtu edhe për korrupsionin brenda familjes sonë politike. Ne po fokusojmë të gjithë vëmendjen dhe energjinë tonë për të ecur përpara me reformat që do t’u mundësojnë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme e një administratë vendore pa konflikte politike. Reformat zgjedhore dhe territoriale, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona kryesore”,- theksoi ndër te tjera kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Kosova, rajoni dhe situata e tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë, ishin pjesë e diskutimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ne Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane.
Basha kërkoi që këto kohë të trazuara të jenë nxitëse për Europën, që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe të ushtrojë një ndikim më të madh për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kane bërë dhe përmbylljen e marrëveshjes me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dy vendeve, tu mundësohet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.
Basha theksoi se popujt e rajonit, pa dallim, duan të shohin përpara për të ardhmen e tyre të përbashkët evropiane, dhe të lënë pas të kaluarën tragjike.
Sa i përket situatës në Ukrainë, zoti Basha theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për një zgjidhje diplomatike.
“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e me gjerë”,-theksoi zoti Basha, ndersa shtoi se:
“Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës.”- shtoi Basha.