Në lidhje me kompensimin e shpenzimeve për deputetët nga Kuvendi i Kosovës sqaron se kompensimi është bërë duke u bazuar në ligjet ekzistuese. RTV Dukagjini ka analizuar të gjitha të dhënat e rregullores, ku thuhet se deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione.
Gjatë kësaj analize janë nxjerrë 10 deputetët që janë kompensuar më së shumti për udhëtime, ku në krye të listës është deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili është kompensuar me 21,480 euro për udhëtimet që ka bërë nga Deçani gjatë pesë legjislaturave të Kuvendit (2010, 2014, 2017, 2019, 2021). Ish-deputeti i PDK-së Nait Hasani, i cili ka qenë deputetë në disa legjislatura renditet i dyti në listën e shpenzimeve me 14,550 euro. Hasani është kompensuar për udhëtimin nga Prizreni.
E treta në listë sa i përket shpenzimeve për udhëtim është deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj me 14, 310 euro. Edhe Kadrijaj është kompensuar për shpenzimet nga Deçani në Prishtinë. Top 5-shen e deputetëve që janë kompensuar më së shumti e plotësojnë Albert Kinolli me 13,170 euro dhe Teuta Haxhiu me 11,130 euro.
Lista e deputeteve
Sevdie Lamaj (AKR), Rasim Demiri (Vakat), Jelena Bontiç e Jasmina Zhivkoviç (Lista Serbe), Safete Hadërgjonaj (PDK) përmbyllin listën e dhjetë deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti gjatë periudhës 2011-2021. Përveç pagave deputetët e Kuvendit të Kosovës gëzojnë edhe përfitime tjera financiare derisa ushtrojnë mandatin e përfaqësuesit të popullit, siç janë mbulimet e shpenzimit të karburantit.
Kompensimi i deputetëve për shpenzimet e udhëtimit është bërë temë debati ditëve të fundit. Por ka deputetë të tillë që edhe pse jetojnë në Prishtinë, kanë përfituar benificione në emër të udhëtimit. Debatet e tilla kishin përfshirë edhe grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, LVV. Këta deputetë kishin vendosur të heqin dorë nga përfitimi i benificioneve, derisa disa të tjerë kishin premtuar se disa do të dhurohen për bamirësi.